Kompania gjermane „Gereshajmer“ (Gerresheimer), e cila deri më tani ka realizuar dy investime në Maqedoninë e Veriut me vlerë të përgjithshme prej rreth 120 milionë eurosh dhe punëson rreth 300 persona, planifikon një investim të ri në një sipërfaqe prej 100.000 metrash katrorë.
Me investimin e ri, numri i të punësuarve në kompani pritet të rritet në 500 persona.
Ndërkohë, në muajin dhjetor pritet të hapen edhe tri kapacitete të reja prodhuese, të cilat kur të funksionojnë me kapacitet të plotë, parashikohet të krijojnë mbi 1.000 vende të reja pune me paga të mira.
Këto të dhëna i bëri të ditura kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, përmes një postimi në gjuhën shqipe, duke theksuar se Qeveria vazhdon angazhimin për tërheqjen e investimeve, hapjen e kapaciteteve të reja prodhuese dhe krijimin e mundësive ekonomike për qytetarët.








