Pas dekadash hulumtimesh dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, Turqia ka arritur të rikthejë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 100 artefakte të çmuara kulturore, të cilat dëshmojnë historinë e pasur të Anadollit.
Artefaktet u prezantuan në Muzeun Arkeologjik të Stambollit nga ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, i cili njëkohësisht hapi edhe ekspozitën me titull “Nuk ka dalje: Bubion”, kushtuar ribashkimit të statujave prej bronzi nga qyteti antik me të njëjtin emër.
Kthimi i tyre është rezultat i angazhimit ligjor dhe shkencor të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë. Një rast veçanërisht i rëndësishëm ishte ai i majit të vitit 2026, kur një shtëpi ankandesh amerikane kishte nxjerrë në shitje artefakte me origjinë nga Anadolli. Pas dorëzimit të dëshmive shkencore dhe dokumentacionit në Prokurorinë e Qarkut të Manhatanit dhe në Shërbimin e Hetimeve të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, shitja u ndalua dhe objektet u kthyen në Turqi.
Në ceremoninë e prezantimit ishte i pranishëm edhe Matthew Bogdanos, zëvendësprokuror i Qarkut të Manhatanit dhe drejtues i Njësisë për Luftimin e Trafikimit të Pasurive Kulturore.
Ministri Ersoy vlerësoi mbështetjen e institucioneve amerikane, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë dhe Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Nju-Jork, duke falënderuar gjithashtu kompaninë “Turkish Airlines” për transportin e sigurt të artefakteve.
“Qëllimi ynë nuk është vetëm t’i zhvendosim artefaktet nga një vitrinë ekspozuese në tjetrën, por t’i shqyrtojmë sërish në kontekstin e historive të tyre dhe mjedisit kulturor të cilit i përkasin”, deklaroi Ersoy, duke theksuar se Turqia do të vazhdojë luftën kundër tregtisë së paligjshme të pasurive kulturore.
Ndër objektet e rikthyera veçohen 40 artefakte nga lokaliteti Horoztepe, në provincën Tokat, të datuara në periudhën 2300–2000 para erës sonë. Koleksioni përfshin instrumente muzikore ceremoniale, armë dhe enë metalike, të cilat dëshmojnë aftësitë e zhvilluara të përpunimit të metaleve në Anadoll gjatë epokës së hershme të bronzit. Këto objekte u rikthyen pothuajse 70 vjet pas grabitjes së tyre.
Veçanërisht të rëndësishme janë edhe 44 pllakat arkitekturore prej terrakote nga fshati Divër, në provincën Burdur, të cilat u rikthyen nga koleksioni i Muzeut “J. Paul Getty” në Los Anxhelos.
Pas kthimeve të mëparshme të objekteve nga i njëjti lokalitet prej SHBA-së, Danimarkës dhe Muzeut të Arteve të Bukura të Virxhinias, këto pllaka pritet të bashkohen me artefaktet e tjera nga Divëri, të cilat ruhen në Muzeun Arkeologjik të Stambollit.
Ndërkohë, ekspozita “Nuk ka dalje: Bubion” rrëfen historinë e statujave prej bronzi nga qyteti antik i Bubionit, pranë fshatit Ibeçik, në provincën Burdur. Ato u grabitën gjatë gërmimeve të paligjshme arkeologjike në vitet 1960 dhe u nxorën ilegalisht nga Turqia.
Statujat i përkasin Sebasteionit, një faltoreje kushtuar perandorëve romakë dhe familjes perandorake. Për dekada me radhë, pjesët e tyre janë ruajtur në vende dhe koleksione të ndryshme ndërkombëtare.
Origjina dhe lidhja mes tyre u konfirmuan përmes krahasimit të gjurmëve të bashkimit të këmbëve të statujave me bazamentet prej guri, si dhe analizave të tokës dhe të përbërjes izotopike të plumbit.
Pas shumë dekadash, pjesët e statujave, përfshirë kokat, bustet dhe gjymtyrët, të cilat ruheshin në koleksione të ndryshme ndërkombëtare, janë ribashkuar. Mes tyre janë edhe statujat prej bronzi të perandorëve romakë Lucius Verus, Septimius Severus, Caracalla dhe Marcus Aurelius.
Rikthimi i këtyre artefakteve hap mundësi të reja për hulumtime shkencore. Gërmimet arkeologjike në Bubion, të rifilluara në vitin 2023, vazhdojnë nën koordinimin e Muzeut Arkeologjik të Burdurit, me pjesëmarrjen e arkeologëve turq.
Me rikthimin e 100 artefakteve dhe ribashkimin e statujave prej bronzi nga Bubioni, Turqia vazhdon përpjekjet për ruajtjen, studimin dhe rikthimin e trashëgimisë së saj kulturore.









