Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, gjatë qëndrimit në Hamburg të Gjermanisë, ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarët, ku është diskutuar për mundësitë e investimeve në Maqedoninë e Veriut dhe lehtësimin e shërbimeve institucionale për mërgatën.
Sali bëri të ditur se në fokus të diskutimeve ishin edhe përmirësimi i shërbimeve konsullore dhe digjitalizimi i procedurave administrative, përfshirë mundësinë e pajisjes me dokumente në formë elektronike.
“Mërgata jonë përfaqëson një potencial të rëndësishëm ekonomik dhe profesional, ndaj mbetet prioritet krijimi i kushteve që lehtësojnë komunikimin me institucionet dhe nxisin përfshirjen e saj në zhvillimin e vendit”, ka theksuar Sali.
Ai ka falënderuar bashkatdhetarët në Hamburg për mikpritjen, diskutimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj vendlindjes.








