Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka vendosur administratë të përkohshme në “Alta Banka AD Manastir”, ndërsa për personat fizikë është përcaktuar një kufi javor prej 10.000 denarësh për rrjedhjen e mjeteve nga llogaritë e tyre përmes kartelave bankare. Vendimi ka hyrë në fuqi sot, më 1 nëntor 2026, ka njoftuar guvernatori Trajko Sllaveski.
Kjo masë vjen pas informacioneve të publikuara publikisht për revokimin e lejes së punës të “Alta Banka AD Beograd” dhe marrjen e vendimit për plotësimin e kushteve për hapjen e procedurës së falimentimit në bankën serbe, e cila është aksionare me pjesëmarrje të kualifikuar në “Alta Banka AD Manastir”.
“Në drejtim të mbrojtjes së bilancit të Alta Bankës AD Manastir dhe interesave të deponuesve të saj, Këshilli Ekzekutiv i Bankës Popullore, në seancën e mbajtur më 1 nëntor 2026, miratoi vendim me të cilin vendoset administratë në Alta Banka AD Manastir. Vendimi tashmë është në fuqi”, theksoi Sllaveski.
Ai theksoi se masa është e përkohshme dhe se nuk është vendosur për shkak të një gjendjeje të përkeqësuar financiare të bankës në Manastir, por për shkak të zhvillimeve lidhur me aksionarin e saj në Beograd.
Sipas guvernatorit, “Alta Banka AD Manastir” është e kapitalizuar lart, është likuide, ka cilësi solide të portofolit të kredive dhe i përmbush të gjitha standardet mbikëqyrëse.
Me vendosjen e administratës, menaxhimi i pasurisë së bankës kalon përkohësisht nën kompetencën e personave të emëruar nga Banka Popullore, brenda autorizimeve të përcaktuara nga Këshilli i saj Ekzekutiv.
Për klientët, ndryshimi më domethënës janë kufizimet e pagesave që do të vlejnë në ditët e ardhshme.
“Në interes të qytetarëve, dhe me qëllim të kryerjes së pagesave të përditshme, është përcaktuar një kufi javor për rrjedhjen nga llogaritë e personave fizikë në vlerë prej 10.000 denarësh, i cili mund të shfrytëzohet me kartelat e lëshuara nga banka”, deklaroi Sllaveski.
Njëkohësisht, pagesat e brendshme midis llogarive të klientëve brenda Alta Bankës, si për personat fizikë ashtu edhe juridikë, mbeten të mundshme pa kufizim shume.
Banka Popullore nuk i ka specifikuar të gjitha kategoritë e pagesave që do të përfshihen nga kufizimet e përkohshme, e as datën e saktë deri kur do të vlejnë ato.
Sllaveski theksoi në mënyrë të veçantë se klientët që kanë kredi në Alta Banka duhet të vazhdojnë t’i përmbushin rregullisht dhe në kohë detyrimet e tyre. Vendosja e administratës së përkohshme nuk nënkupton ndërprerje të detyrimit për shlyerjen e kredive.
Guvernatori siguron se masat janë ndërmarrë për mbrojtjen e pasurisë së bankës dhe interesave të deponuesve, ndërsa Banka Popullore do të vazhdojë ta ndjekë situatën dhe të veprojë brenda kompetencave ligjore.
Gjithashtu, ai drejtoi një apel për pjesëmarrësit në debatin publik që të përmbahen nga deklarata që mund të shkaktojnë shqetësim të panevojshëm te qytetarët, duke vlerësuar se përhapja e panikut mund t’u dëmtojë direkt deponuesit.(INA)








