Filipçe hap front kundër ish-kryetarit të LSDM-së, Branko Cërvenkovski: E quan “mumie”

Advertisement

LSDM-ja nën udhëheqjen e Venko Filipçes ka hapur një front të ri politik, këtë herë kundër ish-kryetarit të partisë, Branko Cërvenkovski.

Në një komunikatë partiake të publikuar më 29 tetor, drejtuesit e LSDM-së kanë përdorur gjuhë të ashpër ndaj kritikëve të tyre, duke e përfshirë edhe Cërvenkovskin, të cilin e kanë quajtur “mumie” dhe “fytyrë të balsamosur”.

Në komunikatë, partia e akuzon ish-liderin se për vite me radhë ka bërë biznes me VMRO-DPMNE-në dhe se ka ndihmuar në krijimin e partisë ZNAM.

“Një njeri që për vite me radhë bën biznes me VMRO-në, një njeri që ndihmoi në krijimin e ZNAM-it, versioni i parë. Mickoski e financoi”, thuhet në pjesën e komunikatës që i kushtohet Cërvenkovskit.

Nga kryetar i parë i LSDM-së në “mumie”

“Dhe tani, nga dollapi po e nxjerrin Branko Cërvenkovskin. A për këtë e ka fjalën Mickoski kur thotë se po nxjerr ‘kocka nga e kaluara’? Mjaft më me kockat nga dollapi, me ato mumie dhe fytyra të balsamosura që bënë gjithçka për ta shuar LSDM-në”, thuhet më tej në komunikatën partiake.

Cërvenkovski e ka udhëhequr LSDM-në që nga themelimi i saj në vitin 1991, ndërsa më vonë ka qenë edhe kryeministër dhe president i Maqedonisë.

Sulmi ndaj tij është pjesë e komunikatës me titull “Lëvizjet e fundit të Platformës – ZNAM 2.0 – nga Levica te Cërvenkovski”, në të cilën udhëheqja aktuale e LSDM-së i paraqet kërkesat për reforma brenda partisë si një operacion në interes të kryeministrit Hristijan Mickoski.

Kritikët e Filipçes në një thes me kundërshtarët politikë

Në të njëjtën komunikatë, LSDM-ja përmend Platformën, Petre Shilegovin, Maksim Dimitrievskin, ZNAM-in, Levicën, analistë dhe media, duke i lidhur me interesa biznesore, presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe shërbime të huaja.

Kërkesat për reforma brenda partisë, sipas LSDM-së, reduktohen në dëshirën për pozita dhe ndryshimin e emrit të partisë. Për Platformën thuhet se po përgatit formimin e një partie të re, sipas modelit të ZNAM-it.

Megjithatë, në komunikatën e publikuar nuk përmendet ndonjë deklaratë konkrete e Cërvenkovskit, së cilës po i përgjigjet udhëheqja aktuale e LSDM-së.

Në vend të polemikës me ndonjë qëndrim të tij, partia ka publikuar akuza për lidhjet e tij të pretenduara politike dhe biznesore, të shoqëruara me diskualifikime të ashpra personale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit