Protestat kundër shtrenjtimit të jetesës përhapen edhe në Gjermani

Advertisement

Protestat u organizuan nga grupimi aktivist “Gjenerata Z merr drejtimin”, dhe kishin në fokus financimin e pamjaftueshëm të shkollave, rritjen e kostos së jetesës, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe shërbimin ushtarak të detyrueshëm.

“Para së gjithash, sistemi arsimor. Në shkollën time, tavani po shembet për shkak të dëmtimeve nga uji, por askush nuk po ndërmerr asgjë. Kemi mungesë mësimdhënësish dhe tualetet janë të prishura”, tha Janelle Schulz, Studente.

“Ne kërkojmë që të investohen më shumë para në shërbimet sociale dhe arsim, si dhe në mbrojtjen e klimës, me pak fjalë, në të ardhmen tonë. Sepse ne jemi ata që do të preken nga këto probleme për kohën më të gjatë dhe që do të duhet të jetojnë me pasojat e tyre”, theksoi Lara Breitenbach, Studente.

“Protestoj për të ardhmen e fëmijës tim, vajzës sime – kundër padrejtësive, kundër shkollave të rrënuara dhe kundër problemeve të shumta sociale me të cilat po përballemi aktualisht. Sigurisht, problemet nuk janë vetëm sociale, por edhe financiare – kur bëhet fjalë për projektet sociale, projektet artistike dhe jetën në përgjithësi. Çmimet vazhdojnë të rriten, qiratë po ashtu – dhe jetesa po bëhet pothuajse e papërballueshme”, tha Magdalena Janisch, Protestuese.

Me rënien e natës, situata doli jashtë kontrollit. Në Frankfurt, policia bllokoi një pjesë të madhe të rrugës kryesore tregtare, pasi disa dyqane u sulmuan dhe iu thyen vitrinat. Policia kreu një numër të konsiderueshëm arrestimesh.

Ministri i Brendshëm i landit të Hessenit, deklaroi se në protestën e Frankfurtit ishin infiltruar rreth 100 ekstremistë të majtë, të cilët, sipas tij, ishin identifikuar qartë. Ai i cilësoi zhvillimet e dhunshme si të turpshme dhe paralajmëroi se nuk do të lejohet përsëritja e skenave të ngjashme me ato të Francës.

Të njëjtën ditë, protesta masive u zhvilluan edhe në Francë, ku mbi 320 mijë persona morën pjesë në demonstrata në qytete të ndryshme të vendit. Qytetarët protestojnë kundër kostos së lartë të jetesës dhe dobësimit të shërbimeve publike, veçanërisht në arsim. Autoritetet franceze angazhuan mijëra efektivë policie për menaxhimin e situatës. Në disa qytete u përdor gaz lotsjellës, ndërsa pas përplasjeve në Lion dhe Marsejë u kryen mbi 500 arrestime.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, bëri të ditur se një efektiv policie ishte plagosur nga një bombë molotov. Ndërkohë, policia në Paris raportoi se disa qindra protestues të dhunshëm kishin sulmuar forcat e sigurisë me sende të forta.

Protesta dhe përplasje u regjistruan gjithashtu në Itali. Në Portugali, policia ndërhyri për të shpërndarë një kamp të ngritur me tenda, pas një marshimi ku mijëra qytetarë kundërshtuan një projektligj për qiratë, për të cilin pretendojnë se mund të përkeqësojë krizën e strehimit.

“Pankarta ime flet për jetën që bëjmë, një jetë plot ankth. Në thelb, kjo është ajo që dua të them. Në fund të muajit duhet të bëjmë shumë llogari për të përballuar shpenzimet, ndërsa për njerëzit që jetojnë vetëm është edhe më e vështirë. Është vërtet shumë e vështirë”, thotë Magdalena Janisch, Protestuese.

“Kjo ndikon te vajzat e mia. Ato nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi me pagat që marrin. Njëra prej tyre jeton jashtë vendit dhe do të dëshironte të kthehej”, theksoi një Protestuese.

Gjatë javëve të fundit, të rinjtë kanë dalë në protesta në disa vende evropiane, përfshirë Francën, Belgjikën, Irlandën, Spanjën, Portugalinë, Italinë, Greqinë, Serbinë dhe Shqipërinë. Edhe pse kërkesat ndryshojnë, shqetësimet kryesore lidhen me rritjen e kostos së jetesës, vështirësitë për të siguruar një banesë, cilësinë e arsimit dhe shërbimet publike./Alsat.mk.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit