Petrushevski: Si është e mundur që për zjarrin në spitalin modular në Tetovë të mos ketë të dënuar?

Advertisement

VMRO-DPMNE-ja e akuzoi opozitën, LSDM-në, se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për rastin e spitalit modular përmes ndikimeve të saj në sistemin gjyqësor. Kjo deklaratë vjen pasi, sipas partisë, gjyqtari Afrim Fidani i liroi ish-drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, të akuzuar lidhur me zjarrin ku humbën jetën 14 persona.

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së dhe deputeti, Brane Petrushevski, tha në konferencën e sotme për media se ky është një tjetër rast kur, sipas tij, gjyqësori vepron në mbrojtje të ish-zyrtarëve të LSDM-së dhe BDI-së.

Ai e krahasoi rastin me hetimet për zjarrin në spitalin modular dhe tha se më herët prokurori Islam Abazi nuk kishte hapur lëndë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Vetëm para pak muajsh, Islam Abazi e amnistoi Filipçen nga çdo përgjegjësi në rastin e spitaleve modulare, duke mos hapur lëndë për këtë rast. Sot, Afrim Fidani i liroi Artan Etemin dhe Florin Besimin, ish-drejtorët e spitalit të Tetovës, lidhur me zjarrin ku humbën jetën 14 bashkëqytetarë tanë”, tha Petrushevski.

Ai pyeti si është e mundur që për zjarrin në spitalin modular të mos ketë persona të akuzuar apo të dënuar dhe pse ish-ministri Filipçe nuk është thirrur as për intervistë informative.

Petrushevski kundërshtoi edhe përqendrimin e përgjegjësisë te kablloja, duke thënë se duhet të përcaktohet përgjegjësia e plotë për tragjedinë.

Sipas tij, Filipçe dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, po përpiqen të mbrohen nga përgjegjësia përmes ndikimeve të tyre në gjyqësor.

“A fshihen aktgjykimet dhe akuzat në sistemin gjyqësor nëse je i afërt me Filipçen apo Ahmetin? Rasti në të cilin u dogjën të gjallë 14 bashkëqytetarë tanë duhet të ketë një epilog tjetër gjyqësor. Drejtësi duhet të ketë”, deklaroi Petrushevski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit