Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar Propozim-Buxhetin për vitin 2027, me të ardhura të planifikuara prej 395.4 miliardë denarësh dhe shpenzime prej 440.4 miliardë denarësh.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, bëri të ditur se deficiti buxhetor është planifikuar në 45 miliardë denarë, ose 3.5 për qind të BPV-së.
Për investime kapitale janë paraparë 40.8 miliardë denarë, ndërsa 220.8 miliardë denarë do të ndahen për transfere sociale, prej të cilave 123.8 miliardë për pensione.
Buxheti parasheh gjithashtu rritje të mjeteve për shëndetësi, mbrojtje, arsim dhe infrastrukturë. Ndër projektet e planifikuara janë vazhdimi i punimeve në autostradat Kërçovë–Ohër dhe Shkup–Bllacë, modernizimi i hekurudhave, si dhe investimet në konvikte dhe objekte arsimore.
Ministrja theksoi se synimi është ruajtja e stabilitetit të financave publike, ulja graduale e deficitit dhe krijimi i kushteve për rritje ekonomike në vitin 2027.








