Pianistja e re nga Maqedonia e Veriut përfaqësoi vendin në një nga garat prestigjioze evropiane për talentet e reja muzikore, të mbajtur në Karlsruhe të Gjermanisë.
Pianistja e re Xhevrie Tule mori pjesë në garën evropiane të muzikës „Lions European Music Competition – Thomas Kuti”, e cila u mbajt më 22 dhe 23 tetor në Karlsruhe të Gjermanisë, në kuadër të Forumit Evropian të Lions.
Tule siguroi të drejtën për ta përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në këtë garë ndërkombëtare pasi fitoi përzgjedhjen kombëtare, të organizuar nga Lions District 132 – Maqedonia e Veriut, në qershor të këtij viti në Shtëpinë e Oficerëve në Manastir. Ajo triumfoi në një konkurrencë të fortë, duke siguruar mundësinë për t’u prezantuar para publikut ndërkombëtar.
Në garën evropiane, instrumenti i përzgjedhur për këtë vit ishte pianoja, ndërsa pjesëmarrësit ishin pianistë të rinj nga vende të ndryshme të Evropës, të moshës deri në 24 vjeç. Gara u zhvillua në sallën Stadthalle Karlsruhe, ku talentet e reja patën mundësinë të dëshmojnë aftësitë e tyre interpretuese dhe nivelin artistik.
Konkursi „Thomas Kuti” synon promovimin e të rinjve përmes muzikës, shkëmbimit kulturor dhe krijimit të mundësive për zhvillim profesional. Për pjesëmarrësit, kjo garë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të krijuar kontakte që mund të ndihmojnë në ndërtimin e karrierës së tyre artistike.
Pjesëmarrja e Xhevrie Tules në këtë aktivitet evropian përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e talentit muzikor nga Maqedonia e Veriut në skenën ndërkombëtare.
Lions District 132 – Maqedonia e Veriut mbuloi shpenzimet e udhëtimit dhe pjesëmarrjes, duke dëshmuar përkushtimin e organizatës në mbështetjen dhe afirmimin e talenteve të reja.Ora24.tv








