Shtetasit serbë votojnë edhe në Maqedoninë e Veriut, në Shkup dhe Kumanovë

Advertisement

Shtetasit e Serbisë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe janë regjistruar me kohë për të votuar, sot, më 25 tetor, mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në Shkup dhe Kumanovë. Votat e tyre do të jenë pjesë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në të cilat zgjidhen 250 deputetë në Kuvendin Popullor të Serbisë, transmeton Portalb.mk.

Votimi në vend zhvillohet në dy lokacione: në Ambasadën e Serbisë në Shkup, në rrugën “Samoilova”, numër 34, dhe në zyrën e konsullit të nderit në Kumanovë, në rrugën “Ilindenska”, numër 37.

Sipas njoftimit të Ambasadës së Serbisë, të dy vendvotimet janë të hapura nga ora 7:00 deri në orën 20:00, sipas kohës lokale. Të drejtë vote kanë votuesit e regjistruar në ekstraktin përkatës të listës zgjedhore, të cilët duhet të paraqesin letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme serbe.

Sipas Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2021, në Maqedoninë e Veriut 23.847 persona janë deklaruar si serbë, përkatësisht 1,30 përqind e popullsisë rezidente. Megjithatë, kjo e dhënë për përkatësinë etnike nuk tregon numrin e shtetasve serbë të regjistruar për të votuar.

Mbi 102.000 votues të regjistruar jashtë vendit

Vendvotimet në Shkup dhe Kumanovë janë pjesë e rrjetit prej 93 vendvotimeve në 37 shtete. Për të votuar jashtë Serbisë janë regjistruar gjithsej 102.147 votues.

Votimi është organizuar në gjithsej 8.392 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kanë gati 6,5 milionë qytetarë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit