Kolona të mëdha në vendvotimet në Serbi që në orën 7 të mëngjesit

Advertisement

Radhë prej disa qindra metrash në një numër të madh vendvotimesh në Serbi, ende pa u hapur ato. Kolona të gjata edhe para përfaqësive diplomatike jashtë vendit.

Në vendvotimin në shkollën “Starina Nova” në Beograd, në orën 06:45.

Pamje të jashtëzakonshme vijnë nga Serbia që para hapjes së vendvotimeve për zgjedhjet e sotme, tejet të rëndësishme, në të cilat po zhvillohet një betejë e fortë politike mes studentëve dhe Aleksandar Vuçiqit.

Nga të gjitha anët po publikohen video që tregojnë kolona të mëdha njerëzish, të cilat shtrihen në disa qindra metra, ende para orës 07:00. Në pamje shihen qytetarë që presin hapjen e vendvotimeve.

Sipas pamjeve që vijnë nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Serbisë jashtë vendit, radhë të gjata ka edhe atje. Meqë, sipas vendimit të komisionit shtetëror, votimi jashtë vendit duhet të zhvillohet sipas orës në Serbi, para konsullatës në Nju-Jork, në orën 01:00 pas mesnate, tashmë kishte disa qindra persona që prisnin hapjen e vendvotimit.

Në Los Anxhelos, ku ora është nëntë orë prapa asaj të Evropës Qendrore, radhë kishte edhe dy orë para hapjes së vendvotimit. Jashtë vendit votohet në 93 vendvotime në 37 shtete.

Studentët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin për të votuar sa më herët, menjëherë pas hapjes së vendvotimeve, me qëllim që të parandalohen incidente të mundshme dhe presione gjatë orëve të pasdites. Në zgjedhjet e deritanishme, edhe përkrahësit e Partisë Përparimtare Serbe zakonisht kanë dalë për të votuar në orët e mëngjesit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të sotme përbëjnë sprovën më të rëndësishme për pushtetin e Aleksandar Vuçiqit në 14 vitet e fundit. Blloku i tij politik po përballet me kërcënimin e parë serioz nga një forcë politike e dalë nga protestat studentore, të cilat nisën pas shembjes së strehës së hyrjes në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku në nëntor të vitit 2024 humbën jetën 16 persona.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit