Protestat si akt demokratikë e cila synonë ndryshime sociale dhe kundërshtimin e korrupsionit e të keqqeverisjes, shpeshherë pamjet e tyre keqpërdoren për interesa politike apo personale. Profesori i sociologjisë, Ali Pajaziti, në Programin e Mëngjesit të Radio Shkupit, vlerëson se rrjetet sociale po ndikojnë në mënyrën se si perceptohen protestat dhe po kontribuojnë në përhapjen e dukurive negative në shoqëri.
Sipas Pajazitit shpesh, disa njerëz nuk kanë lidhje organike me qëllimet dhe objektivat e protestuesve. Ata keqpërdorin situatën, shfrytëzojnë momente të caktuara dhe i filmojnë, sepse turma nuk mund të kontrollohet plotësisht.
“Protestat, në thelb, synojnë ndryshime sociale. Në këtë mes kemi përkrahës të kauzave të mirëfillta, të cilët thonë jo korrupsionit, kundërpërjashtimit të meritokracisë, kundër ikjes së trurit dhe kërkojnë kushte më të mira jetese. Ata kërkojnë barazi, siç ndodh, për shembull, në Francë dhe në vende të tjera, si dhe kundërshtojnë regjimet apo sistemet diskriminuese. Por ka edhe të rinj, apo pjesëtarë të brezave të ndryshëm, që bëhen pjesë e protestave për një lloj aventure të momentit”, shprehet Pajaziti.
“Turma ka një forcë magnetike. Ajo tërheq edhe njeriun që është kalimtar, por edhe atë që ka qëllime jo të mira dhe që mund ta njollosë një veprim shumë fisnik të njerëzve që dalin në rrugë. Shpesh, këta njerëz nuk kanë lidhje organike me qëllimet dhe objektivat e protestuesve. Ata keqpërdorin situatën, shfrytëzojnë momente të caktuara dhe i filmojnë, sepse turma nuk mund të kontrollohet plotësisht. Më pas, këto pamje publikohen në rrjetet sociale. Faza e dytë është keqpërdorimi i tyre nga subjektet politike, qoftë nga pozita apo opozita, varësisht nga momenti. Kështu, krijohet një pasqyrë e një shoqërie që dita-ditës po patologjizohet në shumë mënyra, edhe përmes mini-ekraneve, kësaj vegle magjike që mund të sjellë dije, mësime, informim dhe përjetime, por edhe të përhapë gjëra imorale, joetike dhe antivlera”, u shpreh profesori Pajaziti. Ora24.tv








