Kryeministri Hristian Mickoski pret mesazhe të fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe diskutime thelbësore dhe rezultate konkrete nga Samiti i sotëm i Procesit të Berlinit në Mal të Zi.
“Sot pres mesazhe shumë të fuqishme lidhur me integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Natyrisht, këtu përfshij edhe vendin tim. Dosja e Maqedonisë është shumë e ndërlikuar. Prej kohësh e kemi merituar të jemi pjesë e BE-së, por, për fat të keq, për shkak të disa arsyeve artificiale, ende nuk jemi në gjendje t’i fillojmë negociatat”, deklaroi Mickoski para fillimit të Samitit.
Ai paralajmëroi se në fjalimin e tij do të theksojë përkushtimin e fortë të Qeverisë së Maqedonisë ndaj agjendës së reformave të BE-së dhe integrimit evropian, duke theksuar se Qeveria edhe në të ardhmen do të vazhdojë të veprojë në këtë drejtim.
“Në fjalimin tim do ta paraqes dhe do ta përcjell mesazhin për përkushtimin e fortë të Qeverisë së Maqedonisë ndaj agjendës së reformave të BE-së dhe integrimit evropian. Në praktikë, kjo ka qenë edhe mënyra e veprimit të deritanishëm të Qeverisë sime dhe do të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë edhe në të ardhmen”, theksoi Mickoski.
Ai u ndal edhe te sfidat aktuale globale, ndër të cilat përmendi luftën në Ukrainë, luftën me Iranin, krizën në tregjet financiare dhe protestat në mbarë Evropën.
“Po jetojmë në kohë shumë sfiduese. Ndoshta jemi dëshmitarë të disa prej periudhave më sfiduese që njerëzimi mund t’i kujtojë në këtë shekull: lufta e Rusisë në Ukrainë, si dhe lufta me Iranin, kriza në tregjet financiare, protestat në mbarë Evropën dhe gjithçka që lidhet me to. Prandaj, duhet të gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo situatë në botë, veçanërisht në Evropë, ndërsa Qeveria ime është fuqishëm e përkushtuar të kontribuojë në këtë drejtim”, tha Mickoski.
Ai shpreson se bisedimet e sotme në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit do të jenë thelbësore dhe do të rezultojnë me rezultate konkrete dhe frytdhënëse.
Mickoski kryeson delegacionin e Maqedonisë në Samitin që po mbahet në Shën Stefan, në Mal të Zi, ku do të diskutohet për ndërlidhjen ekonomike të rajonit, sigurinë dhe përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Samiti shënon përfundimin e kryesimit të Malit të Zi, ndërsa krahas liderëve të Ballkanit Perëndimor, merr pjesë edhe kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Fridrih Merc, i cili është përkrahës i fuqishëm i përparimit dhe integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.
Samiti do të hapet nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe kancelari gjerman, Merc. Në kuadër të Samitit do të mbahet edhe një seancë plenare “Rajoni në lëvizje: Ballkani Perëndimor formëson të ardhmen e përbashkët të Evropës”.








