Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, zhvilloi takim me ambasadorin e sapoemëruar të Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Alper Aktaş, ku në fokus ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
Në takim u diskutua veçanërisht për rritjen e shkëmbimit tregtar, investimet dhe bashkëpunimin në fushën e transportit dhe infrastrukturës.
Nikoloski prezantoi politikat zhvillimore të Qeverisë dhe planet për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore në rajon. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut paraqet një destinacion të favorshëm për investime dhe një portë për lidhjen me Evropën Qendrore.
Sipas tij, prania e kompanive të shumta turke që investojnë në vend dëshmon marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve dhe potencialin për zgjerimin e partneritetit ekonomik.
Bashkëbiseduesit theksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në turizëm, me synimin për të nxitur vizitat turistike dhe për të forcuar lidhjet mes qytetarëve të të dy vendeve.
Takimi synon të kontribuojë në forcimin e partneritetit mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, përmes investimeve të reja, zhvillimit ekonomik dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.








