Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, ka zhvilluar një takim me studentët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku është diskutuar për integrimin evropian të vendit, sundimin e ligjit dhe mundësitë për të rinjtë.
Takimi u mbajt në kuadër të nismës “Studentët përcaktojnë agjendën”, përmes së cilës studentët kanë mundësi të zgjedhin temat e diskutimit dhe t’i parashtrojnë drejtpërdrejt ambasadorit pyetjet dhe shqetësimet e tyre.
Vizita nisi me një takim me rektoren e universitetit, prof. dr. Biljana Angelova, ndërsa më pas vijoi me një debat me studentët e Fakultetit Juridik dhe përfaqësuesit e platformës studentore “Studentarija”.
Gjatë diskutimit, Rokas theksoi rëndësinë e rikthimit të besimit, angazhimit politik dhe vazhdimit të reformave, veçanërisht në forcimin e pavarësisë dhe efektivitetit të institucioneve, si hapa të rëndësishëm për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
Ai gjithashtu u bëri thirrje të rinjve të shfrytëzojnë mundësitë që ofron BE-ja, përfshirë programin Erasmus+, të fitojnë përvoja ndërkombëtare dhe njohuritë e fituara t’i sjellin në vendin e tyre.
“Të rinjtë kanë shumë për të thënë për të ardhmen e tyre dhe ne duhet t’i dëgjojmë. Por nuk mjafton vetëm t’i dëgjojmë. Të rinjtë duhet të kenë mundësi reale të ndikojnë në vendimet që prekin jetën e tyre dhe të ardhmen e vendit”, deklaroi ambasadori Rokas.
Nisma organizohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Europe House, në bashkëpunim me universitetet në Maqedoninë e Veriut dhe platformën “Studentarija”. Gjatë gjithë vitit akademik, takime të ngjashme do të zhvillohen edhe në universitete të tjera në vend, me synimin që prioritetet dhe pritshmëritë e studentëve të përfshihen në diskutimet për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.








