Qeveria planifikon një cikël të ri investimesh në Komunën e Karposhit, ku parashihen ndërtimi i garazheve shumëkatëshe, rregullimi i rrugëve dhe shesheve, si dhe sanimi i rrëshqitjeve të dheut në zonat e Kozles, Trnodolit dhe Zhdanecit.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, zhvilloi sot një takim pune me kryetarin e Komunës së Karposhit, Sotir Lukrovski, ku diskutuan për realizimin e projekteve kapitale që financohen nga Qeveria në bashkëpunim me komunën.
Nikolloski bëri të ditur se mbështetja e Qeverisë për Komunën e Karposhit, përmes dy thirrjeve publike që janë aktualisht aktive, arrin në rreth 11 milionë euro. Prej tyre, rreth 5.5 milionë euro realizohen drejtpërdrejt përmes Ministrisë së Transportit.
“ Nuk ka pjesë të komunës ku nuk punojmë dhe ku nuk zgjidhim probleme infrastrukturore. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në periudhën e ardhshme”, deklaroi Nikolloski.
Ai paralajmëroi një cikël të ri investimesh, i cili do të përfshijë ndërtimin dhe rregullimin e shesheve, rrugëve, kanalizimit atmosferik dhe fekal, si dhe sistemimin e hapësirave publike aty ku ka më shumë nevojë.
Në takim u diskutua edhe për sanimin e rrëshqitjeve të dheut, veçanërisht në zonat që gravitojnë drejt vendbanimeve Kozle, Trnodol dhe Zhdanec.
Garazhe shumëkatëshe për zgjidhjen e problemit me parkimin
Një nga sfidat kryesore të Komunës së Karposhit mbetet mungesa e vendeve për parkim, veçanërisht në lagjet Karposh 1, Karposh 2, Karposh 3 dhe Karposh 4.
Sipas Nikolloskit, në bashkëpunim me komunën dhe Ndërmarrjen Publike për Menaxhimin e Hapësirës Banesore dhe Afariste, po punohet për një zgjidhje të integruar që parasheh ndërtimin e garazheve shumëkatëshe dhe parkingjeve nëntokësore.
Qëllimi është rritja e numrit të vendeve për parkim, duke krijuar njëkohësisht hapësira të gjelbra dhe parqe për qytetarët.
Projektet, dokumentacioni i të cilave është drejt përfundimit, pritet të kalojnë në fazën e realizimit, ndërsa për lokacionet e tjera po përgatiten projektet përkatëse.
Nikolloski shprehu pritshmërinë që, përmes këtyre investimeve, problemi me parkimin në Komunën e Karposhit të zgjidhet gjatë dy deri në tre viteve të ardhshme.









