Çmimet e naftës sot vazhdojnë të bien, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, hoqi sanksionet ndaj Rusisë, përcjell TV21. Kontratat e së ardhmes për naftën e llojit “Brent” vijuan rënien edhe mëngjesin e sotëm në bursat aziatike, ku çmimi në tregtimin e hershëm ra për më shumë se 1,5 për qind, në 107,92 dollarë për fuçi, transmeton Al Jazeera.
Kjo vjen pasi Trump të premten nënshkroi një urdhër ekzekutiv për heqjen e një sërë sanksionesh të lidhura me Rusinë, vetëm pak ditë para hyrjes së tyre në fuqi. Masat përfshinin tarifa doganore për mallrat ruse dhe ndëshkime për blerjen e naftës dhe gazit nga ky vend.
Çmimi i naftës bruto “Brent” të premten arriti për pak kohë në 110 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga maji. Rritja u ndikua nga tensionet dhe kërcënimet e sigurisë në Lindjen e Mesme, të cilat shtuan shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe uljen e furnizimit global me energji.








