Qeveritë duhet të sigurojnë një nivel bazë të qasjes falas në mjete të dobishme të inteligjencës artificiale, duke filluar nga arsimi, zhvillimi i aftësive dhe qasja në shërbimet publike, theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në fjalimin e tij në Takimin ministror të Samitit global për Inteligjencën Artificiale, i cili po mbahet në Seul.
Andonovski, i cili kryeson delegacionin e Maqedonisë në Samitin Global, në fjalimin e tij paralajmëroi se ekziston rreziku që intelegjenca artificiale ta thellojë hendekun mes vendeve më të pasura dhe ekonomive në zhvillim, si dhe mes qytetarëve me të ardhura të ndryshme, njoftoi Ministria e Transformimit Digjital.
“Vendet që kanë mjete për të investuar në vegla të avancuara, kapacitete kompjuterike dhe aftësi mund të përparojnë me shpejtësi, ndërsa ekonomitë në zhvillim të mbeten prapa. Talente ka në çdo vend, por mundësia për të pasur qasje në intelegjencën artificiale nuk është e barabartë për të gjithë”, theksoi Andonovski.
Ministri theksoi se qasja në intelegjencën artificiale duhet të bëhet një prioritet i qartë zhvillimor, ndërsa si mekanizma të mundshëm përmendi përdorimin e përbashkët të burimeve kompjuterike, qasjen rajonale dhe programet kombëtare të zhvillimit.
Në këtë kontekst, Andonovski prezantoi rëndësinë e “Vezilkas”, antenës së Maqedonisë të lidhur me fabrikat evropiane të intelegjencës artificiale. Përmes saj, kompanitë dhe institucionet publike lidhen me burime evropiane të superkompjuterëve, marrin mbështetje për zhvillimin e zgjedhjeve praktik dhe krijohen modele gjuhësore dhe grupe të dhënash në gjuhën maqedonase.
Duke folur për sovranitetin e të dhënave, ministri theksoi se ai nënkupton aftësinë e shtetit për të zhvilluar dhe zgjeruar zgjidhjet e veta digjitale, për të mbrojtur informacionet e qytetarëve dhe për të bashkëpunuar me besim me partnerët ndërkombëtarë.“Mundësia për të përfituar nga intelegjenca artificiale nuk duhet të varet nga pasuria e një shteti apo nga të ardhurat e një familjeje”, përfundoi Andonovski.
Në margjinat e samitit, siç thuhet në njoftim, ministri Andonovski do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me zëvendëskryetarin e Bankës Botërore, përfaqësues të Republikës së Koresë dhe ministra homologë, në të cilat do të diskutojë për thellimin e bashkëpunimit në transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale.








