Qentë endacakë shqetësojnë Strugën, Qyra u bën thirrje këshilltarëve

Advertisement

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka kërkuar nga këshilltarët komunalë që kundërshtojnë propozimin e tij për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, të paraqesin alternativa konkrete.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Qyra ka theksuar se problemi i qenve endacakë në Strugë është serioz dhe se qytetarët po përballen me shqetësime dhe dëme të ndryshme.

Ai ka treguar se gjatë një debati me qytetarët, njëri prej tyre ka rrëfyer se ishte sulmuar nga një tufë qensh, ndërsa një tjetër është ankuar se brenda një jave i ishin mbytur 90 pula dhe 20 lepuj. Po ashtu, një qytetar ka kërkuar zgjidhje për dëmin e shkaktuar në automjetin e tij nga një sulm i rreth 15 qenve në lagjen Vreshtat.

Qyra ka bërë të ditur se propozimi i tij për zgjidhjen e këtij problemi prej muajsh po bllokohet nga disa këshilltarë në Këshillin Komunal të Strugës.

Ai ka shprehur keqardhje që në debatin me qytetarët nuk morën pjesë përfaqësues të koalicionit AKI dhe të listës së Merkos, duke theksuar se përgjegjësia ndaj qytetarëve nuk duhet të varet nga përkatësia partiake.

“Kur nuk pajtohemi me një zgjidhje, duhet të kemi përgjegjësinë të propozojmë një alternativë më të mirë”, ka shkruar Qyra, duke u bërë thirrje këshilltarëve kundërshtues që të paraqesin projekte konkrete dhe të zbatueshme.

Ai ka shtuar se është i gatshëm të shqyrtojë propozimet alternative dhe të bashkëpunojë me të gjithë ata që kanë vullnet për ta zgjidhur problemin, duke theksuar se qytetarët nuk mund të vazhdojnë të jetojnë me frikën nga sulmet e mundshme të qenve endacakë./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit