Klubi Futbollistik Shkëndija e Haraçinës reagon ndaj kumtesës së publikuar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM), në të cilën, përveç akuzave të njëanshme ndaj klubit tonë, përdoren edhe cilësime fyese dhe të papranueshme për një institucion që duhet të përfaqësojë dhe t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha klubet.
Është veçanërisht shqetësuese që vetë Federata, e cila thirret në respektimin e dinjitetit dhe vlerave sportive, përdor shprehje si „të pacivilizuar“, „të pahijshëm“ dhe „të pafuqishëm në aspektin sportiv“ për të përshkruar përfaqësuesit e një klubi anëtar të saj.
Një gjuhë e tillë është e papranueshme dhe nuk i ka hije institucionit më të lartë të futbollit në vend. Prandaj, reagimi ynë është si vijon:
Federatë e pandëruar e gjithçkaje tjetër, përveç futbollit! Nëse kryetari i klubit nuk është person zyrtar, atëherë kush është? A duhej të heshtnim, të ulnim kokën dhe të mos reagonim, edhe pse kapiteni ynë u ofendua në mënyrën më të ulët të mundshme nga gjyqtari kryesor?
Shkëndija nuk është klub që ul kokën! Të pandëruar, Fuqia jonë sportive nuk mund të matet assesi në një ligë ku gjyqtarët ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet e ndeshjeve. Rregullat e lojës së futbollit po i mësojmë nga ju, ndërsa si shembullin më të mirë e kemi ndeshjen Maqedonia U21 – Rusia U21.
Kur tashmë flasim për sjellje të pacivilizuara dhe josportive, t’ju rikujtojmë juve dhe opinionit se pas ndeshjes Vardari – Shkëndija, kryetari i Federatës na priste në dalje për t’u përballur me drejtuesit tanë, gjoja sepse dikush ia kishte ofenduar djalin.
Për këtë ngjarje ekzistojnë edhe pamje nga kamerat e sigurisë. Publikojini! Le ta shohë opinioni se kush si sillet dhe kush në të vërtetë e cenon dinjitetin e futbollit!
Dhe për fund, edhe një apel të fundit për ju: Politika jashtë futbollit! Ju lutemi, na lini të luajmë futboll. Ju lutemi, na lini t’i rikthejmë tifozët në stadiume. Ju lutemi, lejoni që të fitojë më i miri, e jo që fituesin ta përcaktojë gjyqtari. Shkëndija nuk do të heshtë përballë padrejtësive dhe nuk do ta ulë kokën!








