Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikoloski gjatë vizitës së tij në Prilep, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me blerjen e helikopterëve nga Ministria e Mbrojtjes theksoi se kjo çështje duhet të diskutohet në disa aspekte.
“Gjëja e parë është nëse Maqedonia aktualisht ka nevojë për helikopterë transportues, sepse për ta ditur opinioni, këto janë helikopterë që do të jenë për transport të personelit dhe ushtarëve, dhe helikopterë luftarakë”, tha Nikollovski.
Ai theksoi se me një blerje të tillë nuk përmirësohet gatishmëria mbrojtëse e Maqedonisë dhe ushtrisë, dhe se shpenzimi i 250 milionëve për këtë është humbje.
“Në të njëjtën kohë themi se do të investojmë 250 milionë euro në të gjitha komunat në Maqedoni. Nëse nuk i shpenzojnë paratë vetëm për këtë, për një vit të gjitha komunat në Maqedoni do të mund të fillojnë me ringjalljen dhe zgjidhjen e problemeve dekadëshe të qytetarëve. Ministrja e Mbrojtjes i detyrohet opinionit një përgjigje se si është e mundur që në periudhën zgjedhore që tashmë ka filluar, janë shpallur zgjedhjet, të bëhet një prokurim kaq i madh publik që duhet ta paguajë qeveria e ardhshme”, tha Nikoloski.
Ai shton se ministria duhet të përgjigjet se pse dhe si është zgjedhur pikërisht kjo kompani “Leonardo” nga Italia dhe nuk janë zgjedhur kompani të tjera, kur kanë konkurruar një konsorcium i madh franko-gjerman, një prodhues suedez dhe një amerikan.
“Pse u zgjodh pikërisht ‘Leonardo’, dhe nëse arsyeja e zgjedhjes është skandali i madh korruptiv që ishte i pari i qeverisë së Zoran Zaev, dhe ai është blerja e një sistemi radari nga kompania ‘Leonardo’, që sipas bisedave që kemi dëgjuar në publik, kushtoi 1 milion euro më shumë se vlera e parashikuar për të cilën përfundoi në burg sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i qeverisë Dragi Rashkovski. Prokurimi i është dhënë një kompanie që tashmë është e lidhur me një skandal të madh në Maqedoni. Kjo tregon shpenzime të kota dhe për këtë do të ketë përgjegjësi nëse shkelet ligji”, theksoi Nikoloski.