Dita Botërore e Artritit, është vendosur që në vitin 1996 dhe mbështetet nga EULAR, i cili është organizmi më i lartë shëndetësor për sëmundjet e reumatizmës. Dita Botërore e Artritit është një iniciativë globale për të ndihmuar të gjithë njerëzit që vuajnë nga këto patologji dhe për t’i sensibiluar ato për t’u përkujdesur për shëndetin e tyre.
Sëmundjet reumatizmale në përgjithësi klasifikohen në inflamatore dhe jo inflamatore.
– Sëmundjet reumatizmale inflamatore më të shpeshta janë: artriti reumatoid, spondiliti ankilozant, sëmundjet sistemike autoimune të indit lidhor, artriti reaktiv, artriti psoriatik, polimialgjia reumatika.
– Sëmundjet reumatizmale joinflamatore më të shpeshta janë: sëmundjet degjenerative të kolonës vertebrale, osteoartrit, osteoporoza dhe fibromialgjia.
Sëmundjet reumatizmale prekin ¼ e popullsisë të Europës, rreth 120 milion njerëz. Mund të themi se pothuajse çdo familje në Europë ka një anëtar të saj me sëmundje reumatizmale. Këto sëmundje prekin si meshkuj ashtu edhe femra, të të gjitha moshave përfshirë edhe fëmijët. Megjithatë disa sëmundje reumatizmale janë më të shpeshta në disa grupe të caktuara njerëzish.
Femrat janë më të prekura nga sëmundjet e artritit reumatoid, fibromialgjisë, lupusit, ndërkohë që meshkujt janë më të prekur nga spondiloartropatit dhe guta.
Sëmundjet reumatizmale janë shkak i parë i paaftësisë së përkohshme për punë dhe invaliditetit të parakohshëm, në mbarë botën. Këto sëmundje kanë koston më të lartë në sistemin socio-ekonomik europian. Këto shpenzime bëhen për diagnozën, mjekimin, barnat, kujdesin, mjetet për invalidët, modifikimet e banesave, për studime shkencore etj. Ulja e aftësisë për punë dhe mungesat në punë, kontribojnë gjithashtu në këto shpenzime. Nëqoftëse nuk mjekohen sëmundjet reumatizmale bëhen shkak për vdekje të parakohshme.








