Shkup, 10 tetor – Jam i kënaqur që dialogu ka filluar dhe që partnerët tanë ndërkombëtarë janë të njohur me dialogun. Kjo është bukuria e demokracisë – të flasësh kur ke pikëpamje të ndryshme, dhe aftësia në demokraci është kur i afron këto pikëpamje të ndryshme dhe në fund arrin në një kompromis, tha kryeministri Hristijan Mickoski kur u pyet se ku sheh një rrugëdalje nga bllokada në marrëdhëniet me Bullgarinë dhe për pritjet pardje pas takimit të ministrave të jashtëm të të dy vendeve, Timço Muçunski dhe Velislava Çamova, në Sofje.
““Pres që dialogu të vazhdojë dhe në një moment qëndrimet të bashkohen dhe të mund të arrijmë një zgjidhje”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas vizitës në Kalanë e Shkupit.
I pyetur nëse do të ketë takime të reja deri në samitin e BE-së në dhjetor, ai tha se “le ta lëmë procesin të marrë rrjedhën e tij natyrale” dhe se “gjithçka që publiku duhet ta dijë, do ta dijë me kalimin e kohës”.
Ai theksoi se është e rëndësishme që dialogu ka filluar, siç këshilloi kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen gjatë vizitës së saj të fundit në Shkup.
“Këshilla ishte të fillohej dialogu, dialogu ka filluar. Partnerët tanë janë të njohur me përmbajtjen e dialogut, pres që dialogu të vazhdojë, kështu që në periudhën në vijim pres që të ketë përparim dhe kur të ketë përparim, sigurisht, publiku do të informohet”, shtoi kryeministri.








