Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka pritur sot në Qeveri një delegacion të Këshillit Ndërkombëtar të Universiteteve (IUC), me seli në Ankara të Turqisë, të kryesuar nga Prof. Dr. Orhan Hikmet Azizoglu.
Në përbërje të delegacionit ishin edhe tetë rektorë të universiteteve nga vende të ndryshme, përfshirë Jordaninë, Pakistanin, Katarin dhe Hungarinë.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me fokus në arsimin e lartë, shkëmbimin e përvojave akademike dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet universiteteve.
Sali theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për rritjen e cilësisë akademike, krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik, si dhe integrimin e universiteteve vendore në rrjetet ndërkombëtare.
Një nga temat e takimit ishte edhe mundësia e përfshirjes së institucioneve të reja të arsimit të lartë nga Maqedonia e Veriut në Këshillin Ndërkombëtar të Universiteteve, krahas dy universiteteve që tashmë janë anëtare.








