Dhjetë shoferë janë privuar nga liria gjatë 24 orëve të fundit në lokacione të ndryshme në vend, për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjeteve, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas MPB-së, katër prej shoferëve kanë drejtuar automjete pa dhënë provimin e vozitjes, ndërsa dy të tjerë kanë qenë nën ndikimin e alkoolit. Te një shofer 21-vjeçar nga Shkupi janë matur 1,99 promilë alkool në gjak, ndërsa te një 67-vjeçar nga Shtipi 1,77 promilë.
Tre shoferë të tjerë kanë drejtuar automjete pavarësisht se kanë pasur ndalim aktiv për drejtimin e tyre. Ndërkaq, një i mitur nga Negotina është kapur duke drejtuar motoçikletë pa patentë shoferi, ndërsa mjeti ka qenë edhe i paregjistruar.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.
Policia u bën apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi, nën ndikimin e alkoolit apo përkundër ndalesave aktive, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion.








