Shasivari: Të rinjtë shqiptarë, forcë që lidh kombin përtej kufijve
Në kuadër të qëndrimit në Turqi, Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi një takim me përfaqësues të Lidhjes së Rinisë Shqiptare me seli në Stamboll.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, në takim u diskutua për rolin dhe avancimin e të rinjve, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet të rinjve shqiptarë nga Maqedonia dhe Turqia.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për afirmimin dhe përfshirjen më të madhe të të rinjve në institucionet shtetërore, si dhe krijimit të hapësirave të reja për bashkëpunim.
Ministri Shasivari theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe vlerave kombëtare, duke nënvizuar se të rinjtë janë bartësit e së ardhmes dhe një faktor i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve përtej kufijve shtetërorë.








