Arrestohen drejtorë dhe punonjës të “Pyjeve Nacionale”
Drejtori i një filialeje të NP-së “Pyjet Nacionale” dhe një punonjëse e ndërmarrjes janë ndaluar ditëve të fundit, në kuadër të disa procedurave që lidhen me dyshime për veprime të paligjshme me masën drusore. Këtë e bëri të ditur zëvendësdrejtori i ndërmarrjes, Kire Mihailov.
Sipas Mihailovit, bëhet fjalë për drejtorin e filialit “Crn Bor” në Prilep dhe një punonjëse të filialit “Babuna” në Veles. Për rastin në Veles, policia kishte njoftuar më herët se më 7 tetor, në fshatin Teovë, ishin ndaluar tre persona, mes tyre edhe një punonjëse e “Pyjeve Nacionale”. Gjatë aksionit ishin sekuestruar dru dhe sende të tjera që lidhen me rastin.
Në një rast tjetër, është ngritur kallëzim penal ndaj një punonjësi të filialit në Sveti Nikollë dhe një personi juridik. Sipas informacioneve të Mihailovit, dëmi vlerësohet në më shumë se 50 mijë euro.
Ndërkohë, ditëve të fundit janë zhvilluar edhe aksione për sekuestrimin e automjeteve dhe druve për ngrohje. Nga një person juridik në rajonin e Shkupit janë sekuestruar rreth 400 metra kub dru, me vlerë të përllogaritur rreth dy milionë denarë, ose mbi 30 mijë euro. Aksioni u zhvillua pas një hetimi dhjetëditor, në koordinim me Prokurorinë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë Pyjore.
“Nga informacionet që kemi deri më tani, bëhet fjalë për një grup të organizuar mirë, i cili me gjasë ka zhvilluar për një kohë të gjatë aktivitete të paligjshme lidhur me transportin dhe shitjen e druve”, shkroi Mihailov në Facebook.
Ai shtoi se dyshimet çojnë drejt një rrjeti më të gjerë, me aktivitete që mund të jenë shtrirë nga Mali i Zi i Shkupit dhe Kitka deri në zonat e Gostivarit dhe Velesit. Po ashtu, po verifikohet edhe përfshirja e mundshme e personave nga institucionet.
“Zgjidhja e këtij rasti do të tregojë se nuk ka të paprekshëm, as të mëdhenj e të vegjël, por se ligji vlen njësoj për të gjithë ata që kanë tentuar ta keqpërdorin, ta anashkalojnë ose ta shpërfillin”, ka deklaruar Mihailov.
Në një mesazh tjetër, ai theksoi se nuk do të ketë ndarje mes “tanëve” dhe “atyre”.
“Secili që ka shkelur ligjin do të përgjigjet”, shkroi Mihailov.
/ Aktuale.mk








