Dy të rinj, të moshës 21 dhe 23 vjeç, pretendojnë se janë rrahur fizikisht nga zyrtarë policorë gjatë një ndërhyrjeje në Shkup. Pas publikimit të fotografive të lëndimeve të tyre, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se do të kryejë kontroll të brendshëm për të zbardhur rastin.
Sipas pretendimeve të të rinjve, gjatë ndërhyrjes policore janë dëmtuar edhe xhamat e automjetit të tyre, ndërsa ata pretendojnë se më pas janë lidhur, janë shtrirë në tokë dhe janë rrahur.
Nga ana tjetër, sipas informacioneve të publikuara, në raportin policor thuhet se të rinjtë ia kanë marrë armën një zyrtari policor. Megjithatë, ata pretendojnë se arma ka përfunduar në automjetin e tyre pasi policia kishte thyer xhamin.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka urdhëruar Departamentin për Kontroll të Brendshëm që të hetojë të gjitha rrethanat e rastit dhe të përcaktojë nëse zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre.
Për rastin kanë reaguar edhe partitë opozitare shqiptare, të cilat kërkojnë hetim transparent dhe përgjegjësi për çdo shkelje eventuale.
Deri më tani, pretendimet për keqtrajtim nuk janë konfirmuar përfundimisht nga hetimi, ndërsa pritet që kontrolli i brendshëm të sqarojë rrethanat e ngjarjes./burim i informacionir
Dy të rinj pretendojnë se janë rrahur nga policia, MPB-ja nis kontroll të brendshëm








