Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka vendosur sanksione të reja ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), duke paralajmëruar masa që synojnë kufizimin e funksionimit të këtij institucioni ndërkombëtar të drejtësisë.
Vendimi u bë publik të premten dhe shënon një përshkallëzim të presionit të Uashingtonit ndaj gjykatës, e cila ka qenë në shënjestër të administratës Trump për shkak të hetimeve dhe procedurave kundër zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se presidenti Trump nuk do të lejojë që Gjykata Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht shtetasit amerikanë.
“Do t’i ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë që vepron jashtë rregullave, do t’ia heqim burimet dhe do ta paralizojmë aftësinë e saj për të funksionuar”, deklaroi Rubio.
Sanksionet e reja mund të prekin jo vetëm zyrtarët e gjykatës, por edhe kompanitë që ofrojnë shërbime për të, duke përfshirë shërbimet financiare, sigurimet dhe teknologjinë, shkruan reuters.








