Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, gjatë një vizite zyrtare në Podgoricë të Malit të Zi, ka zhvilluar takime me kryeministrin Millojko Spajiq, zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane dhe të Jashtme, Filip Ivanoviq, si dhe ministrin e Transportit, Radosh Zheçeviq.
Në fokus të takimeve ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, me theks të veçantë në lidhjet e transportit, turizmin, ekonominë dhe financimin e projekteve infrastrukturore.
Nikoloski bëri të ditur se në një periudhë të shkurtër pritet të nënshkruhet marrëveshje për vendosjen e një linje ajrore direkte mes Shkupit dhe Podgoricës.
Sipas tij, kjo linjë do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, do të kontribuojë në zhvillimin e turizmit dhe do të forcojë lidhjet ekonomike mes dy shteteve.
“Pres që në një kohë shumë të shkurtër të nënshkruhet marrëveshje që do të mundësojë fluturim direkt mes Shkupit dhe Podgoricës. Kjo do të na lidhë me një tjetër kryeqytet dhe do të ndihmojë zhvillimin e turizmit dhe biznesit”, deklaroi Nikoloski.
Ai foli edhe për rëndësinë e lidhjeve infrastrukturore, duke theksuar se ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë do të krijojë mundësi të reja për lidhjen me portin e Tivarit në Mal të Zi.
Sipas Nikolskit, përveç portit të Selanikut në Greqi dhe portit të Durrësit në Shqipëri, porti i Tivarit paraqet një tjetër mundësi strategjike për transportin dhe tregtinë e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë takimeve u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin në sigurimin e fondeve evropiane dhe financimin nga bankat evropiane, veçanërisht për sistemet inteligjente të transportit dhe ndërlidhjen e korridoreve.
Nikoloski i vlerësoi takimet si produktive, duke theksuar se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të mira dhe potencial për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën politike dhe ekonomike.








