Në sektorin qytetar thonë se aktivitetet që janë realizuar në Dibër janë shumë të mirëseardhura dhe të rëndësishme, por shtojnë se ka nevojë jo vetëm në Dibër, por edhe më gjerë në vendin tonë, që të realizohen projekte plotësuese
Vjollca SADIKU
Dibër, 8 tetor – Në Komunën e Dibrës, vitet e fundit, gjatë Javës së të Drejtave të Fëmijëve, që ka të bëjë me zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989, në kontinuitet realizohen aktivitete të shumta nga institucionet arsimore dhe edukative, por edhe nga sektori qytetar. Edhe këtë vit pati aktivitete me rastin e shënimit të “Javës së të Drejtave të Fëmijëve”, me një theks të veçantë në çerdhen “Breshia”, ku aktualisht janë të akomoduar mbi 400 fëmijë, si dhe në shkolla. Përfaqësues të sektorit qytetar thonë se ka nevojë për projekte të reja, pasi kushtet në të cilat rriten fëmijët sot kanë ndryshuar në krahasim me ato të së kaluarës.
Drejtoresha e çerdhes “Breshia” në Dibër, Ajrie Daçi, thotë se grupet e fëmijëve në institucionin parashkollor kanë realizuar me sukses aktivitetet që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve. Ajo për gazetën “KOHA” tha se fëmijët, nga ana e edukatoreve, janë informuar për të drejtat e tyre bazë, siç janë e drejta për dashuri, kujdes dhe familje, pastaj e drejta për t’u rritur, mbrojtur, respektuar dhe për të qenë të barabartë.
Po ashtu, fëmijët e çerdhes kanë marrë edukim dhe informata për të drejtën e tyre për të pasur emër dhe identitet, por edhe për të pasur buzëqeshjen e tyre në familje, çerdhe, shkollë dhe në rrugë. Fëmijët kanë marrë informata edhe për të drejtën e tyre për shëndet, ushqim dhe siguri, për të drejtën për mësim dhe shprehje, si dhe për të drejtën për respekt, shoqërim dhe miqësi. “Në Javën e të Drejtave të Fëmijëve, 5 deri më 9 tetor, të gjitha grupet kanë dhënë një kontribut të madh për shënimin e kësaj jave themelore për të drejtat e fëmijëve”, tha drejtoresha Daçi. Në sektorin qytetar thonë se aktivitetet që janë realizuar në Dibër janë shumë të mirëseardhura dhe të rëndësishme, por shtojnë se ka nevojë jo vetëm në Dibër, por edhe më gjerë në vendin tonë, që të realizohen projekte plotësuese.
Aktivisti i njohur dibran për të Drejtat e Fëmijëve, Flamur Mulladauti, thotë se fëmijët sot jetojnë në kushte të tjera në krahasim me të kaluarën. Ai për gazetën “KOHA” thekson se, me projekte të reja të përcaktuara si nga sektori qytetar, ashtu edhe nga institucionet shkollore, por jo vetëm, duhet t’i kushtohet vëmendje më e madhe dukurive negative që paraqiten kohëve të fundit, siç janë mbrojtja nga bullizmi, mbrojtja nga dhuna dhe mbrojtja nga dezinformatat, pasi bëhet fjalë për fëmijë.
Po ashtu, nevojitet një edukim më i madh për mbrojtjen nga keqpërdorimet në rrjetet sociale. “Jetojnë në kushte kur dukuritë negative veçmas tentojnë të manipulojnë me fëmijët në shkollat tona”, thotë Mulladauti. Vitet e fundit, në Dibër dhe në vendbanimet rurale të saj, janë realizuar dhjetëra projekte për të drejtat e fëmijëve, të cilat kanë dhënë një kontribut dhe efekt shumë të madh që fëmijët dhe prindërit e tyre të njohin të drejtat e fëmijëve, të garantuara me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, të cilën e ka ratifikuar edhe Maqedonia në vitin 1993. (koha.mk)






