Rreth 400 metra kub dru zjarri, me vlerë të përllogaritur prej afro 2 milionë denarësh (mbi 30 mijë euro), janë sekuestruar nga një kompani në Shkup që merret me tregtimin e druve.
Zëvendësdrejtori i NP “Pyjet Kombëtare”, Kire Mihailov, njoftoi se aksioni po zhvillohet me urdhër të Prokurorisë, në bashkëpunim me MPB-në dhe Policinë Pyjore.
Sipas tij, prej rreth dhjetë ditësh po hetohen dyshime për transport dhe shitje të paligjshme të druve. Mihailov pretendon se bëhet fjalë për një grup të mirëorganizuar që mund të ketë vepruar për një periudhë më të gjatë dhe të ketë përfituar të ardhura të konsiderueshme të paligjshme.
Hetimet, sipas tij, shtrihen në disa zona, përfshirë Malin e Zi të Shkupit, Kitkën, Gostivarin dhe Velesin.






