Kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë për RTVM gjatë vizitës së tij në Nju Jork, tha se nga Bashkimi Evropian pret rezultate konkrete dhe të shpejta për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar se përmes masave që qytetarët do t’i ndiejnë menjëherë mund të ulet frustrimi në rajon, përcjell TV21. Duke folur për takimin me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ku morën pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Mickoski tha se gjatë diskutimeve ka krijuar përshtypjen se po rikthehen temat e viteve të para të viteve ’90.
“Kam ndjenjën se gradualisht në Ballkan po rikthehen temat e viteve të para të viteve ’90. Kisha ndjenjën se po krijohet një tension që për mua, në këtë moment, në shekullin XXI, ishte vërtet një surprizë e madhe”, tha Mickoski.
Në takim, nga vendet e Ballkanit Perëndimor në nivel kryeministrash ishin të pranishëm Mickoski dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Mali i Zi u përfaqësua nga presidenti Jakov Millatoviq, ndërsa Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria nga ministrat e Jashtëm.
Mickoski tha se ishte veçanërisht i shqetësuar nga tensionet që dëgjoi gjatë diskutimeve. Si një nga arsyet për mosmarrëveshjet mes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë ai përmendi varrimin e Ratko Mlladiqit, ndërsa si çështje tjetër përmendi mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe çështjen e personave që njëra palë i konsideron organizatorë të sulmit në Banjskë.






