Haxhiu e ka dërguar në Qeveri projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Advertisement

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara e ka dërguar në Qeveri.

Burimet e gazetës Nacionale kanë mësuar se adresimin e iniciativës së PDK-së Haxhiu për opinion në Qeveria e ka ndërmarr të mërkurën.

Një veprim të tillë, Haxhiu e ka ndërmarr duke u bazuar në Rregulloren e re të Punës së Kuvendit, e cila kryetarit të Kuvendit ia mundëson që një projektligj ta dërgoi në Qeveri edhe pa u shqyrtuar në Kryesi të Kuvendit.

Sipas nenit 70 i kësaj rregulloreje, Qeveria brenda 30 dite duhet ta paraqes mendimin e vet me shkrim për projektligjin e propozuar.

“Projektligji i propozuar, sipas nënparagrafëve 1, 3 dhe 4 të këtij neni, së bashku më shkresat e kërkuara në nenin 71 të kësaj rregulloreje, i dërgohet Qeverisë për mendim, përmes Kryetarit të Kuvendit. Qeveria paraqet mendimin e vet me shkrim, të nënshkruar nga Kryeministri, brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e pranimit të projektligjit. Pas kalimit të këtij afati, projektligji procedohet në Kuvend”, thuhet në nenin 70 të Rregullores së Punës së Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës të hënën e ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kjo nismë ligjore ka ardhur pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në një konferencë për media, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar se Gjykata Speciale është themeluar për të hetuar pretendimet e raportit të Dick Martyt, prandaj ajo duhet t’i kthehet mandatit mbi të cilin është krijuar.

“Në aktakuzat publike të Dhomave të Specializuara nuk është ngritur as edhe një rast lidhur me pretendimet e raportit të Dick Martyt, i cili ka të bëj me ato akuza aq të rënda. Kjo është arsyeja se pse sot shtrohet një pyetje e thjeshtë: Nëse Kosova e krijoi këtë gjykatë për një mision të posaçëm, a duhet që ky mision të ketë kufij? Projektligji që po paraqitet jep një përgjigje të qartë”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera për projektligjin e propozuara.

“Projektligji nuk e mbyll Specialen, por e rikthen në mandatin për të cilin është krijuar: çështjet jashtë këtij mandati transferohen te institucionet e drejtësisë së Kosovës, çdo akuzë duhet të arsyetohet veçmas dhe parashihet mbikëqyrje ndërkombëtare për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respektim të standardeve të gjykimit të drejtë”, ka shtuar Kryetari i PDK-së.

Projektligji i dorëzuar në Kuvend synon ndryshimin dhe plotësimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese. /Nacionale

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit