Zëdhënësi i Bashkisë së Gazës, Hosni Mehna tha se kriza humanitare në Gaza, ku Izraeli shkakton uri dhe etje, është intensifikuar dhe sasia e ujit për frymë është ulur nga 90 litra në 2 litra.
Në një deklaratë për Anadolu, Mehna informoi rreth gjendjes në Rripin e Gazës të cilën Izraeli mbi 5 muaj e bombardon dhe detyron njerëzit të mbesin të uritur dhe të etur.
Ai tha se ndihmat që vijnë në qytetin e Gazës dhe rajonet veriore janë shumë të rëndësishme por se janë të pamjaftueshme. “Paralajmërojmë se nëse kriza humanitare vazhdon të përkeqësohet tmerrësisht, vdekjet nga uria dhe etja do të rriten në veri të Gazës”, u shpreh ai.
Sipas tij, para luftës në Gaza, sasia e ujit për person ka qenë 90 litra ndërsa sot ka rënë në 2 litra. Ai theksoi se mungesa e ujit është për shkak të dëmtimit serioz të rrjeteve të ujit gjatë sulmeve të dhunshme të Izraelit ndaj infrastrukturës dhe objekteve komunale.
– Infrastruktura e shkatërruar nga Izraeli dhe mungesa e karburantit
Mehna tha se ushtria izraelite shkatërroi 40 puse uji, 9 depo uji, 42 mijë metra rrjet uji dhe 500 valvola me diametra të ndryshëm dhe se nuk mund të gjejnë karburant për të operuar puset e mbetura të ujit. Ai thotë se Bashkia e Gazës nuk ka mundur të furnizojë me karburant që nga fillimi i nëntorit të kaluar dhe se karburantet duhet t’u sigurohen bashkive për të ofruar shërbime bazë.





