Policia holandeze ka njoftuar se dy persona janë arrestuar dhe një zyrtar policor është lënduar lehtë pas tensioneve që pasuan protestën e mbajtur të mërkurën në Hagë nga mbështetës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Holandës, situata u tensionua rreth orës 12:00, pas përfundimit të protestës në Malieveld. Një pjesë e protestuesve tentuan të lëviznin drejt Raamweg, ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndonëse për këtë lëvizje nuk ishte dhënë leje.
Për të penguar kalimin drejt Raamweg, njësia mobile e policisë holandeze formoi një kordon. Sipas policisë, një pjesë e protestuesve u përplasën me zyrtarët policorë, pas së cilës policia ndërhyri dhe përdori për një kohë të shkurtër topin e ujit dhe sprejin me piper.
Policia holandeze njoftoi se gjatë përplasjeve është përdorur dhunë ndaj zyrtarëve dhe pajisjeve policore. Një polic ka pësuar lëndime të lehta, ndërsa dy persona janë arrestuar nën dyshimin për prishje të rendit. Pas ndërhyrjes së policisë, situata është qetësuar brenda një kohe të shkurtër, përcjell albinfo.ch.
Protesta në Malieveld ishte paralajmëruar paraprakisht tek autoritetet e Hagës dhe ishte organizuar në ditën kur Dhomat e Specializuara shpallën aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.






