Komisioni Evropian ka propozuar rregulla të reja për mbrojtjen e fëmijëve në internet, me kufizime të rrepta për përdorimin e rrjeteve sociale deri në moshën 18-vjeçare.
Sipas rregullave të reja, fëmijët nën 13 vjeç nuk do të mund të përdorin rrjetet sociale, ndërsa ata nën 15 vjeç nuk do të mund të krijojnë profile personale.
Për moshat 13 deri në 15 vjeç, parashikohen mini-profile të krijuara dhe të kontrolluara nga prindërit ose kujdestarët, me funksione të kufizuara dhe përdorim deri në një orë në ditë.
Për të rinjtë nga 15 deri në 18 vjeç, platformat do të duhet të zbatojnë parimin e “sigurisë që në dizajn”, duke vendosur masa të posaçme mbrojtëse.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se platformat teknologjike duhet të garantojnë sigurinë e përdoruesve të mitur dhe të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen që u ofrohet.
Mosha e përdoruesve do të verifikohet përmes mjeteve të certifikuara nga BE-ja për kontrollin e moshës.






