Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njoftoi se nga gjithsej 11 zjarre në hapësira të hapura të regjistruara gjatë ditës, dy mbeten aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa tetë janë shuar.
Sipas të dhënave deri në orën 18:00, zjarret aktive janë në afërsi të fshatit Rapes në Komunën e Novacit, ku po digjet vegjetacion i ulët, si dhe pranë fshatit Gërlevë në Komunën e Sopishtes, ku zjarri ka përfshirë vegjetacion të ulët dhe pyll me drunj të ulët.
Nën kontroll është zjarri në zonën nga fshati Belicë në Komunën e Makedonski Brodit drejt lokalitetit Jasen në Komunën e Sopishtes, ku ishte përfshirë pyll me drunj të ulët dhe pyll i përzier.
Gjatë ditës janë shuar edhe tetë zjarre të tjera në hapësira të hapura. Zjarre janë raportuar pranë fshatit Raoviq në Komunën e Sarajit, në rrugët “Alpi” dhe “Boro Menkov” në Komunën e Butelit, pranë fshatit Mralinë në Komunën e Ilindenit, mes fshatrave Ednokuqevo dhe Monospitovë në Komunën e Bosillovës, në rrugën “Vera Ciriviri” në Veles, si dhe pranë fshatrave Vranishtë dhe Misleshovë në rajonin e Strugës.






