Dauti: Doganat forcohen me pajisje moderne dhe 26 automjete, me mbështetjen e BE-së

Advertisement

Administrata Doganore e Maqedonisë së Veriut po avancon kapacitetet e saj përmes investimeve në pajisje moderne, teknologji dhe mjete operative, në kuadër të projektit IPA 2021 të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Zëvendësdrejtori i Administratës Doganore, Mustafa Dauti, njoftoi për rezultatet e projektit “BE kundër krimit të organizuar, në mbështetje të tregtisë”, duke theksuar se mbështetja evropiane ka ndihmuar në përmirësimin e punës së ekipeve doganore.

Në kuadër të projektit janë siguruar pajisje të specializuara për kontrolle dhe hetime, mjete të teknologjisë së informacionit, si dhe 26 automjete operative të destinuara për ekipet mobile doganore dhe njësinë K-9.

Sipas Dautit, pajisjet e reja do t’u mundësojnë ekipeve doganore të veprojnë më shpejt dhe në mënyrë më efikase gjatë kontrolleve në terren, duke forcuar njëkohësisht sigurinë dhe kontrollin në kufijtë doganorë.

Projekti përfshin edhe zhvillimin e zgjidhjeve digjitale që synojnë modernizimin e procedurave, reduktimin e proceseve administrative dhe krijimin e një administrate më transparente e më efikase.

Dauti vlerësoi se bashkëpunimi me partnerët evropianë mbetet i rëndësishëm për modernizimin e Administratës Doganore dhe përafrimin e saj me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit