Limani: “Së shpejti nisin punimet për urën e re, do të lehtësojë ndjeshëm trafikun”

Advertisement

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka folur për realizimin e projektit për ndërtimin e urës së re pranë Gjykatës së Gostivarit, projekt i cili pritet të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit në qytet.
Duke iu përgjigjur pyetjes se përse ende nuk ka nisur ndërtimi i urës, Limani tha se projekti ishte planifikuar të fillonte në fund të qershorit, por nisja e punimeve u shty për shkak të fluksit të madh të njerëzve gjatë sezonit veror.
Sipas tij, vendimi për shtyrjen është marrë në konsultim me sektorin për zhvillim ekonomik lokal dhe bizneset lokale, ndërsa tani pritet të përgatitet plani për fillimin e punimeve.
Limani bëri të ditur se ura e re do të jetë katërkorshe, ndërsa do të përfshijë edhe shtigje për biçikleta dhe këmbësorë.
“Besoj se së shpejti do të fillojnë punimet në urën e re”, u shpreh Limani.
Ai paralajmëroi gjithashtu vazhdimin e punimeve për rikonstruksionin e bulevardit kryesor të qytetit, përfshirë pjesën pranë ndërtesës së komunës, ku parashihet edhe zgjerimi i rrugës në katër korsi.
Limani tha se synimi është që këto projekte të avancohen deri në fund të mandatit, me qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe lehtësimin e trafikut në Gostivar.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit