Më shumë se 3,000 zejtarë kanë mbetur pa sigurim shëndetësor, pasi nuk kanë më mjete në llogaritë e tyre personale për të paguar kontributet. Problemi vazhdon për të dytin muaj radhazi, që nga miratimi në korrik i ndryshimeve në Ligjin për Kontributet e Detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore, me të cilat zejtarët e vetëpunësuar bëhen përgjegjës për pagesën e kontributeve për sigurimin e detyrueshëm pensional dhe invalidor. Kjo do të thotë se përllogaritja mujore e pagës tani bëhet në emër të personit, dhe jo, si më parë, në bazë të numrit unik tatimor dhe emrit të dyqanit të zejtarit, përcjell Nistori.
Me këto ndryshime, zejtarët duhet t’i paguajnë kontributet për sigurimin shëndetësor dhe pensional, tatimin personal dhe pagën nga llogaria e tyre personale, e jo nga llogaria e dyqanit ku ushtrojnë veprimtarinë dhe ku gjenerohen të ardhurat mujore.
Një problem shtesë, sipas disa zejtarëve me të cilët ka biseduar 360 Gradë, është se ata nuk mund t’i tërheqin të ardhurat nga llogaria e dyqanit, pasi nuk kanë bazë ligjore për këtë.






