Mbi 20 dyqane që shisnin tekstile dhe mallra të tjera u shkatërruan nga një zjarr që shpërtheu herët mëngjesin e sotëm në një qendër tregtare në zonën e Shuto Orizarës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, zjarri u raportua rreth orës 03:20 në një objekt ku mbi 20 dyqane, në pronësi të S.S., i cili i kishte marrë me qira, ishin përfshirë nga flakët.
Zjarri u vu nën kontroll nga ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit. Në ndërhyrje morën pjesë 15 zjarrfikës me gjashtë automjete zjarrfikëse, ndërsa operacioni zgjati nga ora 03:30 deri në 06:45.
Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.
Autoritetet po ndërmarrin masa për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të zjarrit.






