Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për krijimin e Gjykatës Speciale, gjatë një interviste për emisionin “Top Story”.
Thaçi ka rrëfyer rrethanat që, sipas tij, çuan Kosovën drejt këtij vendimi, duke thënë se vendi ndodhej “mes dy zjarreve” dhe se zgjedhja e bërë në atë kohë ishte “e keqja më e vogël”.
“Kosova ishte midis dy zjarreve: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”, tha Thaçi.
Ai theksoi se Kosova kishte zgjedhur themelimin e gjykatës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke vlerësuar se në këtë mënyrë ishte shmangur përfshirja e Rusisë dhe Kinës në proces.
“U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik”, u shpreh ai.
Thaçi tha se nuk dëshiron të flasë për rrethanat e hollësishme që çuan në krijimin e Gjykatës Speciale dhe për zhvillimet e mëvonshme të procesit.
“Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcen edhe kjo vështirësi”, deklaroi Thaçi.






