Supremja kthen në rigjykim rastin e Llaskarcës, të dënuarit lirohen nga burgu

Advertisement

Gjykata Supreme e ka shfuqizuar aktgjykimin për aksidentin tragjik të autobusit në Llaskarcë dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim. Me këtë vendim janë shfuqizuar edhe dënimet me burg ndaj të akuzuarve, të cilët, sipas vendimit të ri, dalin nga vuajtja e dënimit dhe ndaj tyre do të zbatohen masa të tjera për sigurimin e pranisë.

Vendimi është marrë nga Këshilli për Vepra Penale i Gjykatës Supreme, i kryesuar nga Afrim Fidani, i cili ka vlerësuar se në procedurën e mëparshme gjyqësore ka pasur mangësi thelbësore.

Këshilli pesëanëtarësh, në përbërje të Afrim Fidanit, Xhemali Saitit, Safet Kadriut, Cvetanka Periqit dhe Mirjana Lazarova-Trajkovskës, ka anuluar vendimet me të cilat gjashtë të akuzuarit ishin dënuar me burgim.

Lënda tani do të kthehet në Gjykatën Penale në Shkup për rigjykim. Vendimi vjen më shumë se shtatë vjet pas aksidentit tragjik në autostradën Shkup–Tetovë, ku në shkurt të vitit 2019 humbën jetën 16 persona.

Gjykata e Apelit në Shkup, më 8 maj 2025, kishte rritur ndjeshëm dënimet e shkallës së parë, duke pranuar ankesat e prokurorit publik Darko Jakimovski.

Me atë vendim, pronari i “Durmo Tours”, Durmish Belluli, dhe përgjegjësi për transport, Remzi Miftari, ishin dënuar me nga 10 vjet burg, në vend të gjashtë viteve të shqiptuara fillimisht.

Punonjësit e stacionit për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski, ishin dënuar me nga shtatë vjet burg, ndërsa dënimi për Jane Bovarovskin kishte mbetur pesë vjet. Shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, ishte dënuar me 14 vjet burg.

Procesi gjyqësor në shkallën e parë zgjati disa vite, ndër të tjera për shkak të ekspertizave të shumta plotësuese që kishin për qëllim të përcaktonin shkaqet e daljes së autobusit nga rruga. Sipas Prokurorisë, Belluli dhe Miftari dyshohej se kishin lejuar qarkullimin e një autobusi teknikisht të parregullt, ndërsa punonjësit e kontrollit teknik dyshohej se kishin konfirmuar në mënyrë të kundërligjshme rregullsinë e tij.

Disa prej të dënuarve kishin shtyrë fillimin e vuajtjes së dënimeve për shkak të trajtimeve mjekësore. Ndërkohë, Remzi Miftari ishte larguar nga vendi, ndërsa Durmish Belluli kishte nisur vuajtjen e dënimit në burgun “Idrizovë”.

Me vendimin e Gjykatës Supreme, aktgjykimet e mëparshme janë shfuqizuar dhe çështja do të shqyrtohet sërish nga gjykata e shkallës së parë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit