Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka uruar qytetarët me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë, duke theksuar se këtë vit shënohen 35 vjet nga vendimi historik për një shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Filipçe tha se shtetësia maqedonase është ndërtuar ndër breza, nga Ilindeni dhe ASNOM-i, deri te pavarësia në vitin 1991, anëtarësimi në NATO dhe procesi i integrimit evropian.
Sipas tij, detyra e gjeneratës së sotme është të ndërtojë një shtet ekonomikisht të fortë, me institucione funksionale, drejtësi të barabartë dhe mundësi për të rinjtë.
“Paraardhësit tanë luftuan që të kemi shtetin tonë. Kjo gjeneratë ka detyrimin të luftojë që fëmijët tanë të duan të jetojnë në të dhe të luftojë për një Maqedoni evropiane”, porositi Filipçe.
Ai e përmbylli urimin me mesazhin: “Sepse Maqedonia është gjithçka që kemi. Gëzuar dhe për shumë vite 8 Shtatori – Dita e Pavarësisë!”






