Në Maqedoninë e Veriut deri tani janë konfirmuar 64 vatra të lisë te delet, ndërsa rreth 10 mijë krerë janë evidentuar të ngordhur, njoftoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Sipas të dhënave zyrtare, 50 vatra janë regjistruar në Rajonin Lindor, shtatë në Rajonin Verilindor, gjashtë në Rajonin e Vardarit dhe një në Rajonin e Shkupit.
Institucionet kompetente po ndërmarrin masa për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, ndërsa po punohet edhe për sigurimin e vaksinave përmes Komisionit Evropian, Turqisë dhe FAO-s.
Ministri theksoi se sigurimi i vaksinave nuk nënkupton automatikisht fillimin e vaksinimit, pasi vendimi do të merret në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike dhe rrezikut.
Blegtorëve u është bërë thirrje që të respektojnë masat veterinare, të raportojnë rastet e dyshimta dhe të dezinfektojnë pajisjet e përbashkëta. Sipas ministrit, përdorimi i gërshërëve të padezinfektuara gjatë qethjes paraqet një nga rreziqet kryesore për përhapjen e sëmundjes.
Për blegtorët e prekur është paraparë edhe kompensim përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa për gjashtë muaj nuk lejohet futja e bagëtive të reja në fermat e prekura.
Autoritetet po e ndjekin situatën edhe në vendet fqinje, përfshirë Serbinë dhe Greqinë, me qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe përvojave për menaxhimin e sëmundjes.






