Akademiku Ali Aliu ka deklaruar se represioni ndaj shqiptarëve në Maqedoni shërbeu, sipas tij, si një lloj “poligoni” ku Beogradi provonte forma të ndryshme të dhunës dhe torturës, të cilat më pas i aplikonte në Kosovë.
Duke folur në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Aliu tha se këtë e kishte kuptuar më vonë, duke theksuar se politika represive ndaj shqiptarëve ishte shfaqur në forma të ndryshme.
Sipas Aliut, masat përfshinin kufizime në përdorimin e emërtimeve shqipe, ndryshimin e toponimeve dhe kufizime në jetën kulturore.
Si shembull, ai përmendi sllavizimin e toponimeve, ndërsa Surroi kujtoi vendimin e viteve 1983-1984, sipas të cilit në gjuhën shqipe duhej të përdorej emërtimi “Tetovo” në vend të “Tetovë”.
Aliu tha se masa të tilla kishin ekzistuar edhe para vitit 1981, duke përmendur ndër të tjera kufizimet në kulturën dhe institucionet kulturore shqiptare.






