Pesë prokurorë publikë kanë dorëzuar kandidaturat për postin e prokurorit themelor publik në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP-OKK).
Sipas kryetarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, në garë janë Jovan Cvetanovski, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviç, Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi.
Zgjedhja e kreut të ri vjen pas përfundimit të mandatit të Islam Abazit, i cili e drejtoi këtë institucion që nga tetori i vitit 2022.
Kandidati fitues do të përcaktohet më 28 tetor, nga ora 08:00 deri në 16:00. Ndërkohë, Këshilli i Prokurorëve Publikë pritet të formojë komisionet që do të zhvillojnë procedurën e përzgjedhjes.
Për këtë pozitë mund të kandidojnë prokurorët që kanë të paktën gjashtë vite përvojë të pandërprerë si prokuror publik dhe vlerësim pozitiv gjatë tre viteve të fundit.
Zgjedhja e re pritet të përcaktojë drejtuesin e institucionit përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.






