Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të luftëtarëve të lirisë dhe vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Ahmeti ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen tubimit, i cili do të nisë në orën 14:00 nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.
“Të marshojmë së bashku për ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, me besimin se pas çdo sakrifice dhe pritjeje duhet të triumfojnë drejtësia dhe liria”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se marshimi do të jetë në shenjë mbështetjeje për luftëtarët dhe heronjtë e luftës dhe të paqes, duke e përmbyllur thirrjen me mesazhin: “Për luftëtarët tanë, për heronjtë e luftës dhe të paqes, për UÇK-në!”.
Marshi pritet të zhvillohet më 12 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në orën 14:00./Ora24.tv






