BDI reagon për paralelen shqipe në “Penko”: Kërkohet zgjidhje për regjistrimin e nxënësve

Advertisement

Përfaqësues të Aleancës kanë reaguar lidhur me çështjen e paraleles në gjuhën shqipe në SHF “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel, duke akuzuar zëvendësministrin e Arsimit, Driton Sulejmani, se ka dhënë informacion të pasaktë për zgjidhjen e problemit.
Sipas tyre, ndonëse zëvendësministri disa ditë më parë deklaroi se ishte gjetur zgjidhje dhe se ishte garantuar mosmbyllja e paraleles dhe regjistrimi i nxënësve shqiptarë, situata në terren, siç pretendojnë ata, tregon të kundërtën.
“Paralelja u mbyll dhe problemi mbetet i pazgjidhur”, deklaruan përfaqësuesit, duke shtuar se regjistrimi i nxënësve është realizuar vetëm pjesërisht dhe është bazuar në kriterin nëse nxënësi ka motër ose vëlla të regjistruar në këtë shkollë.
Ata kërkojnë zbatimin e nenit 7 të Vendimit për rajonizimin e shkollave, i cili, sipas tyre, mundëson regjistrimin edhe të nxënësve nga komuna të tjera, nëse janë pjesë e rajonit ku ndodhet shkolla.
Në reagim, kritika u adresuan edhe ndaj kryetarit të Butelit, Darko Kostovski, ndërsa u ngritën pikëpyetje edhe për mbështetjen që VLEN dhe strukturat e saj politike i dhanë kandidatit të VMRO-së gjatë zgjedhjeve lokale.
“Mund të organizoni konferenca dhe të publikoni njoftime, por një fakt nuk ndryshon: paralelja u mbyll”, thanë përfaqësuesit, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë të kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi për situatën.
Ata kërkuan përgjigje se kush mban përgjegjësi për premtimet e pambajtura dhe informacionet e pasakta të përcjella në opinion, duke e cilësuar paraqitjen e situatës si të zgjidhur, ndërkohë që paralelja mbetet e mbyllur, si mashtrim ndaj prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit